UBT News

Të shtëna me armë, drogë dhe disa arrestime në Kosovë, Policia sekuestron armë e substanca narkotike

Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të përdorimit të armëve dhe posedimit të paautorizuar të narkotikëve në rajone të ndryshme të vendit gjatë 24 orëve të fundit, ku janë arrestuar disa persona dhe janë sekuestruar armë, municion e substanca narkotike.

Në Podujevë, pas të shtënave me armë zjarri në një aheng familjar, policia arrestoi një të dyshuar, të cilit i konfiskoi një pistoletë me gas dhe tre fishekë. Pas intervistimit, ai u lirua në procedurë të rregullt.

Një rast i ngjashëm u raportua edhe në Malishevë, ku një person dyshohet se kishte shtënë me armë gjatë një ahengu familjar. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij u gjet një pistoletë me gas, karikator dhe dy gëzhoja. Me vendim të prokurorit, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt. Edhe në Vushtrri, pas të shtënave në një aheng familjar, policia konfiskoi dy pistoleta, njëra prej tyre me gas, si dhe gjashtë gëzhoja. I dyshuari u intervistua dhe më pas u lirua në procedurë të rregullt.

Në Brezovicë, një person u arrestua pasi dyshohet se kishte kanosur me armë zjarri tre persona pas një mosmarrëveshjeje. Gjatë kontrollit, policia i konfiskoi një pistoletë me 18 fishekë, ndërsa me urdhër të prokurorit ai u dërgua në mbajtje.

Sa i përket rasteve që lidhen me narkotikët, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, gjatë një kontrolli rutinë, u gjetën 1.2 gramë kokainë, 0.7 gramë ekstazi dhe 32.4 gramë hashash. Substancat u sekuestruan, ndërsa rasti është iniciuar dhe po hetohet.

Në Fushë Kosovë, policia arrestoi dy persona, pasi gjatë kontrollit u gjetën 2.28 gramë kokainë. Gjatë bastisjes në banesën e njërit prej tyre u sekuestruan edhe 2.28 gramë të tjera kokainë, 29.7 gramë heroinë dhe një peshore digjitale. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit u dërguan në mbajtje.

Ndërkohë, në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, një shtetas i huaj u arrestua pasi në bagazhin e veturës së tij u gjetën 2.6 gramë marihuanë. Ai u dërgua në mbajtje për 48 orë.

Një tjetër rast u regjistrua në Suharekë, ku katër persona u arrestuan pasi gjatë kontrollit policor u sekuestruan 25.39 gramë marihuanë, një telefon celular, një shufër metalike dhe një pako rizlla. Pas intervistimit, njëri nga të dyshuarit u dërgua në mbajtje, ndërsa tre të tjerët u liruan në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës njoftoi se të gjitha rastet janë duke u trajtuar në koordinim me prokuroritë kompetente.

D.L

Exit mobile version