UBT News

Të shtëna me AK-47 në drejtim të një autobusi në Malishevë, arrestohet i dyshuari

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Pagarushë të Malishevës, ku një person ka shtënë me armë zjarri të llojit AK-47 në drejtim të një autobusi. Për fat të mirë, nga ky incident nuk ka pasur persona të lënduar.

Rastin për Ekonomia Online e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, e cila bëri të ditur se policia ka reaguar menjëherë pas marrjes së informacionit rreth orës 12:10.

“Njësitë përkatëse policore kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes. Si rezultat, personi i dyshuar është arrestuar dhe, në koordinim med prokurorin e shtetit, është ndaluar për 48 orë, si dhe është sekuestruar një armë e llojit AK-47”, deklaroi Krasniqi.

Sipas policisë, rasti tashmë është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe po trajtohet nga njësitet përkatëse të hetuesisë për të ndriçuar plotësisht rrethanat dhe motivet e këtij sulmi. /Ekonomia online/ /E.A/

Exit mobile version