UBT News

“Të parët dhe të fundit”, drama që sfidon moralin dhe ndërgjegjen njerëzore në Teatrin “Metropol”

Drama “Të parët dhe të fundit” pati premierën mbrëmë në Teatrin “Metropol”, duke sjellë për publikun një histori të fuqishme dhe emocionale.

Shfaqja u prezantua edhe mbrëmë me fillim nga ora 19:00. E shkruar nga dramaturgu dhe novelisti anglez John Galsworthy, fitues i Çmimit Nobel, kjo vepër përbën një nga dramat më prekëse të fillimit të shekullit XX.

Përmes tre skenave, Galsworthy trajton tema universale si morali, përgjegjësia familjare dhe peshën e vendimeve të së kaluarës, duke i vendosur në kontekstin e një ngjarjeje tragjike që trondit jetën e personazheve.

Ngjarja zhvillohet në Londër, ku dy vëllezër – Keith dhe Larry Darrant – gjenden të përfshirë në një vrasje që trazon ndërgjegjen e tyre.

Larry, djali më i vogël i një familjeje të njohur, kryen krimin për të mbrojtur të dashurën Uandën, një vajzë e re polake.

I dëshpëruar, ai kërkon ndihmën e vëllait Keith, një avokat i respektuar dhe këshilltar i Mbretërisë së Anglisë. Kur një burrë i pafajshëm arrestohet për krimin, tensioni dhe dilemat morale e çojnë historinë drejt një përfundimi tronditës.

Me regji të Marius Dhramit, shfaqja solli në skenë: Erjon Hodo, Xhino Musollari, Megi Bregasi, Denardo Neziri, Serxhjo Danga dhe Erd Kullolli, që përmes interpretimit japin jetë një drame që eksploron thellësitë e natyrës, nga ndjenjat e pastra, deri te errësira e ndërgjegjes.

Një vepër që ngre pyetje të forta mbi drejtësinë, fajin dhe mëshirën, “Të parët dhe të fundit” mbetet një reflektim aktual mbi kufijtë e moralit në shoqërinë moderne. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version