Të paktën 13 persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi me dronë ukrainas në Republikën e Tatarstanit në Rusi, kanë bërë të ditur zyrtarët vendas.
Sipas autoriteteve ruse, mes viktimave është edhe një fëmijë, ndërsa 75 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ky konsiderohet si një nga sulmet më të përgjakshme mbi territorin rus që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska. Kijevi zyrtar ende nuk ka komentuar drejtpërdrejt mbi sulmin në qytetin Nizhnekamsk, i cili ndodhet më shumë se 1,100 kilometra larg kufirit me Ukrainën.
Forcat e Armatosura të Ukrainës konfirmuan se është goditur rafineria e naftës “Tanevo” në Nizhnekamsk, ndërsa prodhuesi ukrainas i teknologjisë së mbrojtjes “FirePoint” njoftoi se në këtë operacion janë përdorur dronët e tyre të llojit FP-1.
Burimet lokale bëjnë të ditur se sulmi zgjati për disa orë gjatë natës dhe mëngjesit. Pamjet e verifikuara në rrjetet sociale tregojnë tymin e dendur dhe flakët që ngrihen në qiell, teksa në prapavijë dëgjohen sirenat e alarmit ajror.
Ndonëse nuk ka pasur informacion zyrtar mbi të gjitha targetet, Kijevi së fundmi ka intensifikuar goditjet ndaj objekteve që ndihmojnë në financimin dhe logjistikën e luftës së Rusisë.
Moska konfirmoi se përveç objekteve industriale janë prekur edhe zona banimi.
“Në vendngjarje ndodheshin civilë që nuk ishin të përfshirë në asnjë operacion ushtarak” — deklaroi Komiteti Hetimor i Rusisë (informacion i paverifikuar në mënyrë të pavarur).
Udhëheqësi i Tatarstanit, Rustam Minnikhanov, konfirmoi sulmin dhe u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa kryetari i bashkisë së Nizhnekamskut, Radmir Belayev, e quajti ngjarjen “një dhimbje të madhe për të gjithë”. Në rajon është shpallur ditë zie.
Sipas Moskës, mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar mbi 450 dronë ukrainas gjatë natës. Ukrainës i është rritur me sukses aftësia për të kryer sulme në distanca të largëta brenda Rusisë, duke shënjestruar depot e armatimit dhe infrastrukturën energjetike.
Nga ana tjetër, Rusia po vazhdon sulmet e saj masive ajrore mbi qytetet ukrainase. Javën e kaluar, një sulm i kombinuar me dronë dhe raketa në Kijev la të vdekur 21 persona, ndërsa në Kharkiv pesë persona humbën jetën gjatë natës si pasojë e goditjeve nga artileria ruse. /BBC/
