Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas tha se rruga për të arritur paqen në Ukrainë është “të shtyjë Rusinë jashtë”.
Duke folur në një konferencë për shtyp të martën në Talin, Kallas tha se “edhe nëse keni paqe, por ka pushtim, nuk do të thotë se vuajtjet për ata njerëz do të ndalen”.
“Ukraina duhet ta fitojë këtë luftë”, tha ajo.
Kallas shtoi se “Rusia po përpiqet të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për të bërë një pauzë, në mënyrë që ata të mund të rigrupohen dhe të vazhdojnë më vonë, për të marrë përfundimisht diçka që nuk ishte e tyre që në fillim”.
“Rusia po llogarit që ne të lodhemi apo të frikësohemi”, vazhdoi ajo.
Kallas paralajmëroi se çmimi i lodhjes për luftën do të ishte shumë i lartë, sepse “nëse agresioni shpërblehet diku, ai shërben si një ftesë për ta përdorur atë diku tjetër”.
Ajo tha se Ukraina ka nevojë për mbështetje të mbrojtjes ajrore, si dhe ndihmë ekonomike dhe humanitare./UBTNews/