Të prekurit e sulmeve terroriste të nëntorit 2015 në Paris rrëfyen traumat e tyre në gjykatë, gjashtë vjet pas një nate tmerri që la 130 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.
Dëshmia filloi me patrullimin e xhandarëve të cilët ishin dëshmitarë të dy shpërthimeve në stadiumin kombëtar francez të futbollit. 13 xhandarët po punonin me kontrollin e turmës jashtë stadiumit për ndeshjen Francë-Gjermani dhe përjetuan valët e tronditjes nga ato shpërthime.
14 persona po gjykohen në Paris, ndërkohë 6 të tjerë po gjykohen në mungesë.
Filipi (rregullat e gjykatës nuk lejojnë përdorimin e plotë të emrave të oficerëve) ishte një nga xhandarët e 13 nëntorit të vitit 2015.
“Xhandarët, policia, zjarrfikësit, ne të gjithë jemi të trajnuar për t’u përgjigjur. Kjo është puna jonë. Ne duhej të kalonim tronditjen, të kuptonim se çfarë po ndodhte dhe të improvizonim derisa reflekset tona normale të fillonin,” – dëshmoi ai.
Komandanti Jonathan, tha se ai bashkë me 12 xhandarët e tjerë kanë luftuar për muaj të tërë për të tejkaluar ngjarjen duke marrë mbështetje psikologjike.
“Ne jemi xhandar, jemi të trajnuar për këtë. Kur e shoh gjendjen në të cilën na futi sulmi terrorist, atëherë mund të imagjinoj se çfarë duhet t’u ketë bërë viktimave dhe familjeve të tyre,” – u shpreh Filipi.
Një nga një gjatë javëve të ardhshme, 300 të mbijetuar si dhe anëtarë të familjeve të viktimave do të dëshmojnë.
Gjyqi është planifikuar të zgjasë nëntë muaj.