UBT News

Të huaj jemi

21 marsi shënohet si Dita Botërore e Poezisë. Këtu po ua sjellim një poezi nga shkrimtari i njohur Ismail Kadare.

Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç’ish për tu thënë është thënë.
Si gurët që zënë vend në tokë
Në jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri – tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet
Si dy qytete mesjetare
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por, natën kur i lodhur truri
Porta i mbyll me qetësi
Ti gjen një shteg të futesh brenda
Një shteg që vetëm ti e di.

Futesh dhe si n’rrugica parqesh
Shëtit mes cirkonvolucionesh
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Po kur mëngjesi zë afrohet
Nis shqetësohesh befas ti.
Dhe heshturzai del përjashta
Nga shtegu që veç ti e di.

E dita vjen. Rrjedh prap jeta
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë.

Exit mobile version