Ndërsa Spanja po përpiqet të ringrihet nga përmbytjet që goditën juglindjen e vendit këtë javë, shumë po pyesin pse numri i të vdekurve, i cili aktualisht është mbi 200, është kaq i lartë.
Pothuajse të gjitha vdekjet e konfirmuara deri më tani kanë qenë në rajonin e Valencias në brigjet e Mesdheut, shkruan BBC.
Disa zona janë shkatërruar veçanërisht: qyteti i Paiporta, me 25,000 banorë, raportoi të paktën 62 vdekje.
Ka të ngjarë të kenë kontribuar faktorë të ndryshëm, duke përfshirë bllokimin e shoferëve në makinat e tyre, planifikimin e dobët nga zyrtarët dhe reshjet ekstreme që përkeqësohen nga ndryshimet klimatike.
Agjencia e mbrojtjes civile, e mbikëqyrur nga qeveria rajonale, lëshoi një alarm urgjent për telefonat e njerëzve në dhe rreth qytetit të Valencias pas orës 20:00 me orën lokale të martën, kohë në të cilën uji vërshoi me shpejtësi duke u ngritur në shumë zona dhe në disa raste tashmë duke bërë kërdi.
Një numër i madh i viktimave ishin në rrugë, në shumë raste duke u kthyer nga puna, kur ranë përmbytjet.
Pamjet video tregojnë se si vala e parë e përmbytjeve vërsho përmes Paiporta ndërsa makinat po qarkullonin ende. Megjithëse reshjet ishin më të mëdha në zona të tjera, si Utiel dhe Chiva, gjeografia e Paiporta, me një përroskë që kalonte në qendër të saj, e bëri ndikimin e përmbytjes veçanërisht shkatërruese.
Kryebashkiaku Maribel Albalat tha se qyteti ishte i papërgatitur sa i përket planifikimit, me shumë banesa përdhese. Gjashtë banorë të një shtëpie të të moshuarve vdiqën kur uji i përmbytjes hyri në ndërtesë kur ata ishin ende në katin e parë.