Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Taulant Xhaka, i ka dalë në mbrojtje vëllait të tij, Granit Xhakës, pas situatës së fundit që ka përfshirë mesfushorin e Zvicrës.
Përmes një postimi në Instagram, Taulant Xhaka ka kërkuar që të mos harrohen kontributet e vëllait të tij për përfaqësuesen zvicerane, duke theksuar se askush nuk është i përsosur dhe se të gjithë njerëzit mund të bëjnë gabime.
“Ju lutem, mos harroni kurrë një gjë: atë që Granit Xhaka, vëllai im, ka bërë për Zvicrën gjatë gjithë këtyre viteve. Sa zemër, pasion dhe krenari ka treguar për këtë vend dhe këtë fanellë”, ka shkruar Taulanti.
Ai iu është drejtuar edhe gazetarëve, duke theksuar se edhe ata kanë bërë gabime gjatë jetës së tyre.
“Edhe ju keni bërë gabime në jetën tuaj. Gjëja thelbësore nuk është që të mos bëni kurrë gabime, por që t’i pranoni ato dhe të mësoni prej tyre”, ka shtuar ish-reprezentuesi shqiptar.
Reagimi i Taulant Xhakës vjen pasi Granit Xhaka pranoi të hënën në mëngjes, përmes një postimi në Instagram, se kishte blerë një certifikatë vaksinimi kundër COVID-19 në vitin 2022.
Pasojat ligjore për mesfushorin pritet të përcaktohen nga gjykata në Luzern. Sipas raportimeve të “Blick”, seanca dëgjimore është planifikuar të mbahet më 6 tetor.
Ndërkohë, Granit Xhaka nuk është përfshirë në listën e lojtarëve të grumbulluar nga Zvicra për katër ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve.
D.L
