Talibanët kanë ndaluar përdorimin e monedhave të huaja në Afganistan, një veprim që mund të shkaktojë dëm edhe më tej në një ekonomi që është në prag të kolapsit, shkruan BBC, përcjell UBT News.
“Situata ekonomike dhe interesat kombëtare në vend kërkojnë që të gjithë afganët të përdorin monedhën afgane në çdo tregti të tyre”, thanë talibanët.
Ekonomia është në gjendje kolapsi për shkak të tërheqjes së mbështetjes financiare ndërkombëtare.
Dollari amerikan është përdorur gjerësisht në tregjet e Afganistanit. Dollarët gjithashtu përdoren shpesh për tregti në zonat në kufi me fqinjët e Afganistanit si Pakistani.
“Emirati islamik [i Afganistanit] udhëzonë të gjithë qytetarët, shitësit, tregtarët, biznesmenët dhe publikun e gjerë që tani e tutje të kryejnë të gjitha transaksionet në [monedhën] afganë dhe të përmbahen rreptësisht nga përdorimi i valutës së huaj”, tha zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid.
“Kushdo që shkel këtë urdhër do të përballet me veprime ligjore”, thuhet në deklaratë.
Pasi talibanët morën kontrollin e vendit miliarda dollarë të aseteve jashtë shtetit të Afganistanit u ngrinë nga Rezerva Federale e SHBA-së dhe bankat qendrore në Evropë, transmeton UBT News.
“Ne besojmë se është thelbësore që të ruajmë sanksionet tona kundër talibanëve, por në të njëjtën kohë të gjejmë mënyra për ndihmën legjitime humanitare për të arritur tek populli afgan. Kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë”, i tha Zëvendës Sekretari i Thesarit i Shteteve të Bashkuara, Wally Adeyemo.
Ndërkohë talibanët kanë bërë thirrje për lirimin e aseteve të Afganistanit që po mbahen jashtë shtetit, pasi vendi përballet me një krizë të rëndë parash.
Afganistani është goditur gjithashtu nga eksodi i ndihmës së huaj. Grantet nga jashtë financonin më parë tre të katërtat e shpenzimeve publike të saj.
Në fillim të këtij viti, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tha se Afganistani nuk do të jetë më në gjendje të përdorë burimet e tij, ndërsa Banka Botërore gjithashtu ndaloi fondet për projektet në vend.
Muajin e kaluar, FMN paralajmëroi se ekonomia e vendit mund të tkurret me 30% këtë vit, duke shtyrë miliona në varfëri dhe duke shkaktuar një krizë humanitare.
Fondi tha gjithashtu se problemet ekonomike të Afganistanit mund të nxisin një krizë refugjatësh duke prekur kryesisht Turqinë dhe Evropën.
Vendi po vuan gjithashtu nga një thatësirë e madhe, e cila ka shkatërruar një pjesë të madhe të prodhimit të grurit dhe ka rritur çmimet./UBTNews/