Një udhëheqës i lartë taliban i ka thënë agjencisë Reuters se roli i grave në Afganistan, përfshirë të drejtën e tyre për punë dhe arsimim dhe mënyrën se si duhet të vishen, do të vendoset përfundimisht nga një këshill dijetarësh islamikë.
“Nëse vajzat do të lejohen ose jo të shkojnë në shkollë do të vendosin dijetarët tanë”, tha Waheedullah Hashimi, i cili ka qasje në vendimmarrjen e grupit.
“Ata do të vendosin nëse gratë duhet të mbajnë hixhab, burka, abaya apo tjerat. Kjo varet nga ata”, ka thënë ai.
Hixhabi është një shall që mbulon kokën, burka është një veshje përmes së cilës mbulohet gjithë trupi duke lënë vetëm sytë e pambuluar, ndërsa abaya është një veshje që e lë fytyrën të pambuluar.
Të martën, zëdhënësi kryesor i talibanëve, Zabihullah Mujahid, tha në një konferencë për media në Kabul se gratë do të lejohen të punojnë dhe studiojnë dhe “do të jenë shumë aktive në shoqëri, por brenda kornizës së ligjeve të Islamit”.
Talibanët e sunduan Afganistanin midis viteve 1996 dhe 2001. Ata nuk i lejuan gratë të punonin, vajzat nuk lejoheshin të ndiqnin shkollën dhe gratë duhej të mbulonin fytyrat dhe të shoqëroheshin nga një i afërm mashkull, nëse donin të dilnin nga shtëpitë e tyre.
Ato që shkelën rregullat ndonjëherë u dënuan me rrahje publike nga policia fetare e talibanëve.
Pasi morën kontrollin e Afganistanit pas 20 vjetësh të prezencës së huaj ushtarake, talibanët tani janë nën vëzhgimin e udhëheqësve perëndimorë nëse kanë ndryshuar, përfshirë edhe mënyrën se si i trajtojnë vajzat dhe gratë.
“Ne do ta gjykojmë këtë regjim bazuar në veprimet e tij dhe jo nga fjalët e tij, në qëndrimin e tij ndaj terrorizmit, krimit dhe narkotikëve, si dhe të drejtave të vajzave për arsimim”, tha kryeministri britanik Boris Johnson të mërkurën.
Të mërkurën (18 gusht) Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe 19 vende tjera, përshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët përmes së cilës u bëhet thirrje talibanëve që të respektojnë të drejtat dhe sigurinë e grave dhe vajzave afgane.
Këto vende shpresin shqetësimin e thellë për situatën në të cilën gjenden gratë dhe vajzat afgane, përkatësisht sa i takon të drejtave të tyre për arsimim, punën dhe lirinë e lëvizjes.
Deklarata u lëshua tre ditë pasi talibanët hynë në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul dhe rrëzuan qeverinë e mbështetur nga Perëndimi./REL/