Skiatorja shqiptare Lara Colturi ka arritur një tjetër sukses të madh në garat e Slalomit, duke u ngjitur në podium dhe duke zënë vendin e tretë në garën e zhvilluar në Copper Mountain, Kolorado, SHBA.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u shpreh se Colturi e përmbylli në mënyrën më të mirë të mundshme garën e saj të dytë në këtë etapë të Kupës së Botës.
“Sot Lara shkëlqeu. Pas një lëshimi të parë shumë të fortë, ku u rendit e katërta, ajo dhuroi një paraqitje të shkëlqyer edhe në lëshimin e dytë, duke u pozicionuar pas kampiones amerikane Mikaela Shiffrin dhe gjermanes Lena Dürr,” u shpreh ministri, i cili publikoi edhe pamje nga gara në rrjetet sociale.
Ky rezultat i rëndësishëm i jep mundësinë skiatores shqiptare të forcojë pozitat e saj në vendin e dytë në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës. E emocionuar pas garës, Colturi tha: “Është çmenduri, as unë nuk po e besoj dot. Jam shumë krenare për veten dhe për të gjithë punën që kemi bërë me ekipin. Po përparojmë së bashku dhe ky është vetëm fillimi.”
Ajo shtoi se ky sukses vjen si rezultat i përkushtimit të pandërprerë dhe punës së përbashkët me skuadrën, duke rritur besimin për garat e ardhshme në Kupën e Botës. /A.Z/UBT News/

