UBT News

Talenti i Bayern Munichut në radhët e Kosovës, “BILD” shkruan për Erblin Osmanin

Talenti i Bayern Munichut, Erblin Osmani, është një nga emrat më të rinj që i është bashkuar Kombëtares së Kosovës, ndërsa vendimi i tij për të qenë pjesë e “Dardanëve” ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave gjermane.

Gazeta prestigjioze gjermane BILD ka raportuar për vendimin e 17-vjeçarit, duke theksuar se Osmani, të paktën për momentin, ka zgjedhur Kosovën para Gjermanisë.

Trajneri i Kosovës, Franco Foda, e ka përfshirë Osmanin në listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet e ardhshme, duke i dhënë atij mundësinë për të bërë hapin e parë drejt përfaqësimit të Kosovës në nivel senior.

Osmani deri tani ka qenë pjesë e grupmoshave të Gjermanisë. Në janar të këtij viti, ai u paraqit në dy ndeshje miqësore me përfaqësuesen gjermane U17 ndaj Portugalisë.

“BILD” e përshkruan Osmanin si një prej talenteve të Bayern Munichut. Në mars të këtij viti, ai bëri debutimin në Bundesligë në ndeshjen ndaj Union Berlinit, në moshën 16 vjeç e 305 ditë, duke u renditur ndër lojtarët më të rinj që kanë luajtur për gjigantin bavarez.

Sipas mediumit gjerman, Osmani ka nënshkruar gjithashtu një kontratë afatgjatë me Bayern Munichun dhe aktualisht aktivizohet kryesisht me ekipet e të rinjve të klubit.

Megjithatë, “BILD” thekson se vetëm grumbullimi nga Kosova nuk e bën ende përfundimisht të pakthyeshëm vendimin e tij sa i përket së ardhmes ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj, ftesa nga Franco Foda përbën hapin e parë konkret të Osmanit drejt përfaqësimit të Kosovës.

17-vjeçari tashmë ka mbërritur në Prishtinë dhe ka shprehur publikisht krenarinë për vendimin e tij për t’iu bashkuar Kombëtares së Kosovës.

Osmani pritet të jetë pjesë e skuadrës së “Dardanëve” në ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve.

D.L

Exit mobile version