Talentes së skijimit “cross-country” nga Austria, Katharina Engelhardt, i është dashur t’i japë fund karrierës sportive vetëm në moshën 18-vjeçare, pasi përjetoi dy arreste kardiake që e vunë jetën e saj në rrezik.
Sportistja e re zbuloi përmes një postimi në rrjetet sociale se kaloi ditë të vështira në spital, ku u mbajt në komë të shkaktuar nga mjekët për katër ditë.
“Më thanë se kisha pësuar dy arreste kardiake dhe isha në komë të shkaktuar nga mjekësia për katër ditë”, shkroi Engelhardt në Instagram, duke publikuar edhe një fotografi nga shtrati i spitalit.
Për shkak të një miokarditi (inflamacion i muskulit të zemrës), ajo kaloi një javë në repartin e kujdesit intensiv, ndërsa gjendja e saj ishte tejet kritike.
18-vjeçarja tregoi se edhe mjekët kishin pak shpresa për mbijetesën e saj.
“Edhe mjekët e shkëlqyer në Linz menduan se nuk do t’ia dilja. Por gabuan, sepse ia dola”, shkroi ajo, duke falënderuar stafin mjekësor, familjen dhe miqtë për mbështetjen gjatë periudhës më të vështirë të jetës së saj.
Engelhardt konsiderohej një prej talenteve premtuese të skijimit austriak, por problemet serioze shëndetësore e kanë detyruar të tërhiqet përgjithmonë nga sporti garues.
Megjithëse ëndrra e saj sportive ka marrë fund, 18-vjeçarja e ka fituar betejën më të rëndësishme, atë për jetën.
D.L
