Dy udhëheqësit biseduan për dy orë, shumë më gjatë nga sa pritej. Presidenti Xi e paralajmëroi Donald Trump-in se çështja e Tajvanit, të cilin Pekini e pretendon si pjesë të territorit të tij, mund t’i çojë dy vendet drejt një konflikti. Ai po bën presion për një shtyrje ose reduktim të shitjeve të armëve amerikane drejt ishullit vetëqeverisës, të cilin Pekini e pretendon prej kohësh.
Donald Trump, nga ana tjetër, ka sjellë me vete në Pekin drejtorët ekzekutivë (CEO) të 30 bizneseve të mëdha teknologjike, me shpresën se Kina do t’i hapë dyert për më shumë firma amerikane.
Pas përfundimit të bisedimeve, Trump thuri lëvdata për mikpritësin e tij ndërsa vizitonte Tempullin e Qiellit të shekullit XV, ku perandorët kinezë dikur luteshin për korrje të mbarë. Trump e quajti Xi-në një udhëheqës të madh, i përshkroi bisedimet si “të shkëlqyera” dhe u shpreh para gazetarëve se Kina ishte e bukur.
Cila është çështja në lidhje me Tajvanin?
Kina e konsideron Tajvanin si një provincë të shkëputur që përfundimisht do të vijë nën kontrollin e saj dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta arritur këtë. Vitet e fundit, Pekini ka shtuar stërvitjet ushtarake me zjarr të vërtetë, duke përfshirë bllokada të simuluara të porteve rreth ishullit vetëqeverisës, gjë që ka shqetësuar autoritetet tajvaneze.
Uashingtoni i përmbahet politikës “Një Kinë”, e cila njeh Pekinin si qeverinë e vetme kineze, por ai mban lidhje jozyrtare me Taipein. SHBA-ja është gjithashtu e detyruar me ligj t’i sigurojë Tajvanit mjetet për të mbrojtur veten.
Vitin e kaluar, administrata e Trump-it njoftoi shitjen e një pakete armësh prej 11 miliardë dollarësh për Taipein, gjë që zemëroi Pekinin. Raportet thonë se Trump nuk e ka miratuar ende zyrtarisht shitjen, megjithatë, kjo temë do të jetë në tryezë gjatë bisedimeve të tij me Xi-në./BBC/
