Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim veteranët e UÇK-së, me të cilët ka biseduar lidhur me kërkesat e tyre.
Në një komunikatë për media, Zyra e Kryeministrit ka deklaruar se në këtë takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së.
“U bisedua edhe për çështjen e pastrimit të listave dhe mundësitë e bashkëpunimit në këtë aspekt, si dhe tema të tjera të rëndësishme lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Në këtë takim të përbashkët të pranishëm ishin edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, këshilltari i kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aziz Bici dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja.