UBT News

Takimi i 7-të i Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE–Kosovë: Fokus në reforma dhe rrugën evropiane

Në Prishtinë ka nisur të mbahet takimi i 7-të i Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, një nga mekanizmat kryesorë të dialogut institucional në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Takimi u hap nga Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, dhe Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore (DG ENEST), Valentina Superti.

Në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, progresi në përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe zbatimi i obligimeve që dalin nga MSA-ja. Komiteti shqyrtoi gjithashtu rezultatet e nënkomiteteve sektoriale dhe grupeve të punës në kuadër të dialogut të stabilizim-asociimit.

Nga pala evropiane u theksua rëndësia e institucioneve funksionale dhe vazhdimi i reformave, me fokus të veçantë në sundimin e ligjit, administratën publike, lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e të drejtave themelore dhe të komuniteteve joshumicë. Po ashtu u vlerësuan disa përparime në fusha si ekonomia, digjitalizimi, tatimet, arsimi dhe politikat sociale.

Nga ana e Kosovës u rikonfirmua përkushtimi për thellimin e reformave dhe zbatimin e plotë të obligimeve evropiane, si dhe shfrytëzimi i mundësive që ofron Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Në takim u theksua se rruga evropiane e Kosovës mbetet një proces gjithëpërfshirës, që kërkon bashkëpunim të gjerë institucional dhe konsensus politik, ndërsa Bashkimi Evropian rikonfirmoi mbështetjen e tij për Kosovën si partneri kryesor financiar dhe zhvillimor, me mbi 3.7 miliardë euro të investuara që nga viti 1999./A.K/

Exit mobile version