Tajvani të premten raportoi rastin e parë të lisë së majmunit. Bëhet e ditur se ky rast kishte histori udhëtimi në Gjermani.
Chuang Jen-hsaing, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Qendrave të Tajvanit për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), tha të premten se CDC do ta raportojë rastin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Në Azi, sëmundja virale është raportuar së fundmi në Singapor dhe Korenë e Jugut.
Sipas CDC, pacienti me linë e majmunit, një mashkull tajvanez në të 20-at, u kthye në Tajvan më 16 qershor pas gjashtë muajsh studimi në Gjermani.
Më 20 qershor, pacienti filloi të shfaqte simptoma, përfshirë ethe, dhimbje të fytit, dhimbje muskulore, ënjtje të nyjeve limfatike në ijë dhe skuqje të lëkurës.
CDC konfirmoi të premten infeksionin me li majmuni, duke shënuar rastin e parë të tillë në Tajvan. Pacienti aktualisht ndodhet në karantinë në spital.
Shëndeti i të paktën 19 kontakteve të afërta do të monitorohet deri më 13 korrik, tha CDC. /UBTNews/