Tajlanda rivendosi masat e detyrueshme të karantinës së koronavirusit për turistët e huaj sot, pasi vendi po kërkon të parandalojë përhapjen e variantit Omicron.
Pandemia ka goditur rëndë ekonominë e vendit e cila vitin e kaluar përjetoi performancën e saj më të keqe që nga kriza financiare aziatike e vitit 1997.
Në fillim të nëntorit, Tajlanda u rihap për udhëtarët plotësisht të vaksinuar nga më shumë se 60 vende, të cilët fillimisht duhej të izoloheshin për një natë derisa të merrnin një test negativ PCR.
Por qeveria njoftoi sot se kjo praktikë do të pezullohet për të paktën dy javë.
Turistët do të duhet t’i nënshtrohen karantinës së hotelit për 10 ditë ndërsa 14 ditë nëse janë të pavaksinuar.
Megjithatë 200,000 udhëtarë që i kanë paraqitur tashmë aplikimet për të hyrë në vend do të lejohen të vizitojnë pa u karantinuar, tha zëdhënësi i qeverisë duke shtuar se tani do të kërkohet një test i dytë PCR./UBTNews/