UBT News

Tahirukaj, Gegaj dhe Zogaj do të luajnë në elitat e Zvicrës dhe Suedisë

Screenshot

Tre hendbollistë të Kombëtares së Kosovës, Drenit Tahirukaj, Leonard Gegaj dhe Shaban Zogaj, do të paraqiten sezonin e ardhshëm në ligat elitare të Zvicrës dhe Suedisë, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në karrierat e tyre.

Majtaku Drenit Tahirukaj ka kompletuar transferimin te skuadra zvicerane Wacker Thun, një prej ekipeve të elitës së hendbollit në Zvicër. Ai ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2029, pasi kaloi me sukses sezonet e fundit te Chenois Geneve në kategorinë e dytë zvicerane.

“Jam i lumtur që u realizua transferimi dhe që do të garoj në Superligë me Wacker Thun. Gjatë diskutimeve, kam kuptuar shpejt se mentaliteti dhe synimet e klubit më përshtaten shumë. Jam i entuziazmuar për ekipin e ri dhe do të bëj çdo gjë për të kontribuar në një edicion të suksesshëm”, ka deklaruar Tahirukaj.

Ndërkohë, në elitën suedeze do të luajnë Leonard Gegaj dhe Shaban Zogaj.

Gegaj ka siguruar promovimin në Handbollsligan me skuadrën Lugi, e cila rikthehet në elitë pas dy sezoneve të kaluara në kategorinë e dytë. Hendbollisti kosovar ishte ndër lojtarët më të dalluar të ekipit gjatë sezonit të kaluar dhe ka vazhduar kontratën me klubin edhe për dy vjet të tjera.

Edhe Shaban Zogaj do të jetë pjesë e Superligës së Suedisë, pasi më herët kishte siguruar transferimin te Amo për sezonin 2026/27. Pas një periudhe të vështirë me lëndime, Zogaj synon të dëshmojë potencialin e tij në një nga kampionatet më cilësore të hendbollit skandinav.

Paraqitja e tre reprezentuesve kosovarë në ligat elitare evropiane konsiderohet një sukses i rëndësishëm për hendbollin e Kosovës dhe një tregues i rritjes së vazhdueshme të lojtarëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.

D.L

Exit mobile version