UBT News

​Tahiri kritikon Kurtin: Nuk na tregoi qëndrimin e tij për kërkesat e pesëshes diplomatike

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, deklaroi se presidentes Vjosa Osmani do t’i shpallin betejë kushtetuese për shkak të mosdekretimit të kryeprokurorit Blerim Isufaj, për çka theksoi se pret që të dalin fitues. Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, foli edhe për vizitën e pesëshes diplomatike të shtunën e fundit, për çka tha se kryeministri i vendit, Albin Kurti do të duhej të tregonte hapur qëndrimin e tij për kërkesat që ka marrë.

Deputeti i PDK-së përsëriti edhe njëherë kërkesat e opozitës drejtuar Kurtit, e që janë “bashkëpunim më i ngushtë me ndërkombëtarët, në veçanti ShBA-në”.

“Mendoj se kryeministri i vendit ua ka pasur për borxh të gjithë qytetarëve tonë por edhe klasës politike që ta mbajë një konferencë për media dhe ta jepte një sqarim pas takimit, për kërkesat që i ka marrë nga ana e tyre dhe për qëndrimin e tij. Unë nuk e di që kemi një qëndrim të qartë sa i përket këtyre kërkesave… Për ne është shumë me rëndësi të dimë pozicionin e kryeministrit, që nuk e dimë herët. Në anën tjetër, në po i kërkojmë kryeministrit të ketë bashkëpunim sa më të ngushtë me ndërkombëtarët, e në veçanti me ShBA-në”, tha ai.

Kritik u tregua edhe për qasjen e Qeverisë Kurti ndaj agresionit të Serbisë më 24 shtator.

“Ai ka qenë një akt terrorist, i sponsorizuar nga Serbia. Ne kemi nevojë të shohim qeverinë tonë, ministren e Jashtme, kryeministrin, do të duhej me qenë një ofensivë diplomatike për një muaj me radhë. Nuk po e di pse s’po e bëjnë, prej kujt po frikësohen. Pra, për një muaj asnjë veprim nga kjo qeveri në raport me këtë çështje nuk e kemi parë”, tha ai.

Sa i përket vendimit të presidentes për mosdekretimin e kryeprokurorit të shtetit, Tahiri tha se tashmë janë të bindur se Osmani ka bërë dy shkelje Kushtetuese, për çka u shpreh i bindur se vendi do të ketë një president të ri. Sipas tij, presidentja Vjosa Osmani ka bërë shkelje duke mos e dekretuar për 18 muaj kryeprokurorin Blerim Isufaj dhe se mosdekretimi ka tejkaluar kompetencat e saj.

“Nga nesër, në fund të ditës, ta kemi draftin tonë të gatshëm, ku i bazojmë shkeljet. Dhe, të njëjtin draft do ta qarkullojmë edhe me grupet tjera parlamentare… Për ne është e rëndësishme të përfundojë rasti në Kushtetuese sepse jemi të bindur se ka shkelje serioze në dy drejtime… Unë jam optimist se opozita do të jetë e bashkuar në këtë drejtim. Edhe një çështje, presidentja javën e kaluar nga kërcënoi apo me thënë na ftoi për çështjen e Kushtetueses, na tha se ‘nëse e dërgoni, hyni në një betejë politike’, pra edhe këtu presidentja e vendit tregon se nuk është e paanshme. Unë po ia kujtoj presidentes se presidenti i vendit është garant i rendit kushtetues ashtu sikurse e parasheh Kushtetuta. Nuk është presidenti për të bërë betejë politike me deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ky është një gabim, është një reflektim i saj i brendshëm që ajo mban tashmë një anë politike, të cilën e drejton kryeministri i vendit, Albin Kurti. Presidentja po na kërkon betejë politike, por ne do t’i japim betejë kushtetuese… dhe jemi të bindur se këtë betejë e ka të humbur, pasi ka shkelje serioze të cilat e çojnë në shtëpi”, shtoi Tahiri.

Sipas tij, presidentja nuk ka diskrecion të kthejë mbrapa propozimin që vjen nga Këshilli Prokurorial.

Exit mobile version