Dy palë syze të shekullit të 17-të pritet të shiten miliona dollarë në ankand muajin e ardhshëm. Syzet e veshura me xhevahire, dhe lente prej diamanti dhe smeraldi, besohet se fillimisht i përkisnin mbretërve në Perandorinë Mughal, e cila dikur sundonte mbi nënkontinentin Indian.
Sipas kryetarit të shtëpisë së ankandeve Sotheby’s në Lindjen e Mesme dhe Indi, Edward Gibbs, syzet janë një shembull jashtëzakonisht i rrallë i mjeshtërisë së bizhuterive Mughal.
“Me sa dimë ne, nuk ka të tjera si ato”, thotë ai.
Lentet e të ashtuquajturave syze “Halo of Light”, besohet se janë marrë nga një diamant i vetëm 200 karatësh i gjetur në Golconda, një rajon në shtetet e sotme indiane të Andhra Pradesh dhe Telangana. Sotheby’s vlerëson se diamanti origjinal ishte ndoshta më i madhi i gjetur ndonjëherë.
Syzet që do të shfaqen në publik për herë të parë, janë të dizajnuara për të ndihmuar personin që i mban “të arrijë dritën” dhe “të shmangë të keqen”.
Gurët e çmuar ishin shumë të vlerësuar në traditat islame dhe indike, ku kishin lidhje të forta me spiritualitetin. Sipas Gibbs, diamantet lidheshin me “dritën qiellore” dhe “ndriçimin” në shoqëritë indike. E gjelbra është gjithashtu një ngjyrë e lidhur ngushtë me parajsën, shpëtimin dhe jetën e përjetshme në Islam, feja e praktikuar nga sundimtarët Mughal.
Perandoria Mughal ishte e njohur për mjeshtrinë e bizhuterive në të gjithë Azinë Jugore. Në shekullin e 17 -të, nënkontinenti Indian ishte “burimi i vetëm i diamanteve në botë”, sipas Gibbs. Rajoni ishte, pra, shtëpia e disa prej teknikave më të përparuara të epokës.
Sotheby’s vlerëson se të dy palët e syzeve do të shiten për nga 2.1 milion dollarë deri në 3.5 milion dollarë secila. Dhe megjithëse mund të jenë shekullorë, ato duken jashtëzakonisht të kohës dhe trendi.