Opera bashkëkohore “Syrigana” e artistit kosovar Petrit Halilaj është prezantuar para publikut ndërkombëtar në Berlin, në hapësirat e “Hamburger Bahnhof”, një prej muzeve më të rëndësishëm të artit bashkëkohor në Evropë.
Interpretimi u realizua nga një ansambël i Filharmonisë së Kosovës në kuadër të ekspozitës “An Opera Out of Time”, e cila kishte në qendër operën e parë të Halilajt dhe njëherësh shënoi mbylljen e ekspozitës së tij personale në këtë institucion prestigjioz.
E bazuar në mite, legjenda dhe rrëfime të lidhura me vendlindjen e artistit, “Syrigana” ndërthur muzikën, teatrin dhe instalacionin artistik, duke sjellë një përvojë unike për publikun. Vepra pati premierën në qershor të vitit të kaluar në Syriganë të Skenderajt dhe që atëherë është vlerësuar si një nga projektet më të veçanta artistike të realizuara në Kosovë.
Sipas Filharmonisë së Kosovës, prezantimi në Berlin përbën një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e operës, e cila tashmë ka potencial të vazhdojë jetën e saj artistike edhe në skena të tjera ndërkombëtare.
Me këtë paraqitje, Petrit Halilaj ka vazhduar ta prezantojë artin dhe kulturën e Kosovës në qendra të rëndësishme botërore, duke e shndërruar kujtesën, mitet dhe historitë lokale në vepra me jehonë ndërkombëtare.
