UBT News

Synohet ndërtimi i infrastrukturës dhe krijimi i klubeve të futbollit në komunat veriore

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, me bashkëpunëtorë ka qëndruar dje në Mitrovicë dhe në komunat e veriut. Fillimisht, kreu i FFK-së takoi nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, për të diskutuar ndarjen e parcelës për fushën stërvitore të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Mitrovicës, e cila do t’u shërbejë të gjitha shkollave dhe klubeve që nuk i kanë fushat e tyre. Presidenti Ademi gjithashtu shprehu interesim për parcelën e ndarë nga Kuvendi Komunal për fushën e KF Trepça.

Pas Mitrovicës së Jugut, Ademi vazhdoi në Leposaviq, ku vizitoi Kompleksin Sportiv që është në ndërtim e sipër dhe nën mbikëqyrjen e përhershme të FFK-së. Po ashtu, ai qëndroi edhe në stadiumin e Leshakut, i cili do të jetë nën patronatin e FFK-së. Të dy këto komplekse, përveç stadiumeve kryesore, kanë edhe fusha stërvitore që do të shërbejnë për komunitetin lokal, por do të jenë nën patronatin e institucioneve të Kosovës.

Me këtë rast, i pari i FFK-së ftoi të rinjtë dhe dashamirët e futbollit në këtë pjesë të territorit të Republikës të krijojnë klube dhe shkolla futbolli, duke u siguruar që fëmijët e të gjitha komuniteteve të kenë kushte të barabarta për të zhvilluar talentin e tyre, ashtu si në të gjithë Kosovën.

Kreu i FFK-së theksoi se në bashkëpunim me MKRS-në dhe komunat përkatëse do të vazhdojnë projektin e ndërtimit të fushave në çdo cep të vendit, aty ku ka mbi 50 fëmijë që luajnë futboll apo krijohet një klub futbolli.

Exit mobile version