Ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti në takim ambasadorin e ri të Italisë në Republikën e Kosovës, Antonello De Riu, të cilit i uroi mirëseardhje, duke vënë në pah raportet e shkëlqyeshme që kanë të dy vendet dhe kërkoi që këto raporte të thellohen më tutje.
Ministria e Punëve të Brendshme përmes një komunikate për media bëri të ditur se ministri Sveçla e njoftoi ambasadorin italian lidhur me prioritetet e kësaj ministrie në forcimin e institucioneve të rendit dhe sigurisë.
Ai gjithashtu theksoi se vlerëson lartë përkrahjen e vazhdueshme që ka ofruar Italia për institucionet e Republikës së Kosovës, në veçanti për MPB-në dhe Policinë e Kosovës, në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ofrimin e trajnimit dhe ekspertizës nga pala italiane në këto fusha.
Të dyja palët shprehën gatishmërinë për vazhdim të bashkëpunimit të mirë edhe në fushat e tjera me interes të dyanshëm.