Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur sot në një takim njoftues shefin e ri të misionit EULEX në Kosovë, Antero Lopes, të cilin e ka uruar për marrjen e detyrës së re.
Përmes një njoftimi zyrtar, bëhet e ditur se gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh mes institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Me këtë rast, ministri Sveçla ka shprehur mirënjohje të veçantë për mbështetjen teknike dhe profesionale që ky mision ka dhënë gjatë gërmimeve të fundit në varrezat masive në Zubin-Potok.
“Ministri Sveçla falënderoi EULEX-in për kontributin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, Ministri Sveçla shprehu mirënjohje edhe për mbështetjen e dhënë gjatë gërmimeve të zhvilluara në varrezat masive në Zubin-Potok,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ky takim vjen vetëm një ditë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri me dije se mbetjet mortore të gjetura në tri lokacione në Zubin-Potok dyshohet se u përkasin së paku 23 personave, numër ky që përkon me të ashtuquajturin “grupi i intelektualëve”. Procesi i identifikimit të mbetjeve mortore tashmë ka nisur dhe sipas autoriteteve pritet të zgjasë disa muaj. /E.A/
