UBT News

Sveçla për rastin e Arlindës: Dorëheqja nuk ndihmon, raporti konfirmoi shkelje serioze nga policia

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se nuk e sheh dorëheqjen e tij si akt që do të ndihmonte në fuqizimin apo mbrojtjen e të drejtave të grave, duke theksuar se ekzekutivi është i angazhuar maksimalisht në përmbushjen e detyrave.

Gjatë konferencës së përbashkët për media me ministren Donika Gërvalla, Sveçla u shpreh se e kupton indinjatën e protestuesve dhe se ndan të njëjtin shqetësim me ta lidhur me dështimet institucionale.

Sveçla bëri me dije se verifikimet e kryera përmes Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë konfirmuar dyshimet për mosmenaxhim të duhur të rastit të Arlinda Zekajt. Sipas tij, raporti i dorëzuar te Kryeministri Albin Kurti evidenton shkelje të rënda nga zyrtarë të caktuar policorë, duke përfshirë mosekzekutimin e urdhrit të parë të mbrojtjes, vonesat në zbatimin e urdhrit të dytë, mospërfilljen e kërkesës për vlerësimin e rrezikut dhe dështimin për të ndërmarrë masa mbrojtëse për viktimën.

Ministri nënvizoi se asnjë suspendim nuk është i mjaftueshëm pa një hetim të plotë penal dhe se asnjë uniformë apo pozitë komanduese nuk do të shërbejë si mburojë ndaj përgjegjësisë. Po ashtu, Sveçla njoftoi se Policia e Kosovës ka identifikuar 155 raste të tjera aktive me rrezikshmëri të lartë, për të cilat është raportuar individualisht mbi masat e ndërmarra mbrojtëse. /E.A/

Exit mobile version