Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për themelimin e grupit punues që do të bëjë analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të ministrit, kjo strukturë e re do të funksionojë si një agjenci e veçantë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sveçla ka theksuar se themelimi i Xhandarmërisë përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës së sigurisë së vendit, duke pasur një mision të qartë për të garantuar një prezencë të fuqishme shtetërore.
Ndër detyrat kryesore të këtij agjencioni të ri do të jenë ruajtja e kufijve, integritetit dhe sovranitetit territorial, mbrojtja nga terrorizmi, menaxhimi i trazirave me rrezikshmëri të lartë, si dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike.
“Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufijve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, thuhet në njoftimin e bërë nga ministri në detyrë, Xhelal Sveçla.
Në përfundim, ministri ka deklaruar se Xhandarmëria do të forcojë ndjeshëm kapacitetet e Kosovës për të parandaluar, menaxhuar dhe neutralizuar kërcënimet që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit.
