Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas vrasjes së trefishtë në Gjilan, duke thënë se i dyshuari kryesor i vrasjes ka qenë i arrestuar vitin e kaluar për fajde, por neglizhenca dhe tolerimi nga sistemi i drejtësisë e kanë sjellur ndryshe situatën.
Në reagimin e tij, ministri në detyrë Xhelal Sveçla ka shprehur tronditjen e thellë dhe ka shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjet e viktimave.
“Në këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mos jem jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria e Gjyqësori, janë duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri. Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, ndërkaq neglizhenca dhe tolerimi nga ana e sistemit të drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka shprehur indinjatën e tij me prokurorinë dhe gjyqësorin për neglizhencë, duke theksuar se është momenti i fundit që këto institucione të reflektojnë e të mos ketë tolerim për asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale.
“Qytetarët duhet ta kenë shtetin garant të sigurisë dhe jo të ndihen të frikësuar.”, shtoi ai.