UBT News

Sveçla: Askush nuk mund ta sfidojë shtetin, sekuestrohet armatim e uniforma ushtarake në Zubin Potok

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për një aksion të suksesshëm të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku pas bastisjeve në gjashtë lokacione në Zubin Potok është sekuestruar një sasi e konsiderueshme armatimi, granata dore dhe uniforma ushtarake.

Sveçla ka bërë të ditur se ky operacion është dëshmi e radhës e luftës kundër kriminalitetit dhe përpjekjeve për destabilizim.

“Provat e siguruara gjatë këtij operacioni dëshmojnë përpjekje të vazhdueshme për veprimtari të kundërligjshme me potencial për të cenuar sigurinë dhe stabilitetin në vend,” ka deklaruar ministri.

Në njoftimin e tij, Ministri i Punëve të Brendshme ka theksuar se institucionet e sigurisë nuk do të lejojnë asnjë individ apo grup që të kërcënojë sigurinë e qytetarëve.

“Institucionet shtetërore të sigurisë do të reagojnë me vendosmëri të plotë ndaj çdo individi apo grupi që përmes veprimeve kriminale paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve dhe vendit tonë,” ka potencuar ai.

Për fund, Sveçla ka rikonfirmuar përkushtimin e qeverisë për sundimin e rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës:

“Rendi, ligji dhe siguria në Republikën e Kosovës mbeten prioritet institucional. Çdo veprim që rrezikon këto parime do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe pa asnjë kompromis.”

Gjatë këtij aksioni, përveç armëve dhe municionit prej 213 copësh, janë sekuestruar edhe radiolidhje që shërbenin për komunikim të grupeve ilegale.

 

Exit mobile version