Katër zyrtarë policorë janë suspenduar nga puna pas vrasjes së trefishtë në Gjilan, ka njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës.
Bazuar në rekomandimin e IPK-së janë suspenduar një rreshter policor dhe një hetues nga njësiti i hetimeve rajonale të Drejtorisë rajonale në Gjilan, një rreshter policor – shef i hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës dhe një zyrtar policor i angazhuar në Njësinë e Reagimit të Shpejtë, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan.
Ky institucion tha se ka filluar një hetim paraprak në kuadër të të cilit do të hetohet nëse ka pasur ndonjë “lëshim apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të të dyshuarit i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan”.
Në një kafene afër Komunës së Gjilanit, si pasojë e të shtënave me armë u vranë babë e bir, të dielën, e më vonë vdiq edhe njëri nga të plagosurit rëndë, i cili po trajtohej në spital.
I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan është Mefail Shkodra, person me të kaluar penale, përfshirë edhe në fajde.