Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ashpër pas deklaratave të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, i cili gjatë mbledhjes së 1 shtatorit 2025 përdori gjuhë të papranueshme ndaj kësaj gjykate dhe gjyqtarit Zenel Leku.
Në reagimin e saj, Gjykata Supreme shpreh shqetësim të thellë duke i cilësuar deklaratat e Krasniqit si sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të një gjyqtari dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë.
“Lakimi dhe krahasimi i emrit të gjyqtarit Zenel Leku është tentativë e ulët për ta dëmtuar figurën e tij dhe për ta minuar besimin në drejtësi”, thuhet në kundër-reagim.
Po ashtu, Gjykata Supreme thekson se shpikja e teorive konspirative, etiketimet dhe përpjekjet për denigrim të gjyqtarëve në një institucion si KQZ tregojnë mungesë të kulturës politike.
“Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për përfaqësues që i respektojnë institucionet, jo të tillë që përpiqen t’i delegjitimojnë ato me akuza pa fakte”, thekson Gjykata.
Sipas këtij institucioni, në një shtet demokratik është gjyqësori ai që garanton barazinë dhe drejtësinë zgjedhore, derisa përpjekjet për të diskredituar një gjyqtar të instancës më të lartë janë të dëmshme e të papranueshme, jo vetëm për gjykatën dhe gjyqtarin, por për tërë shoqërinë.
“Gjykata Supreme vendimet e saj i bazon në Kushtetutë dhe ligj, dhe asnjëherë nuk do të jetë në shërbim të politikave ditore,” përfundon reagimi.