Mbikëqyrja e konsumatorit në Australi, Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Konsumatorit (ACCC), ka paditur dy zinxhirët më të mëdhenj të supermarketeve, Coles dhe Woolworths, për pretendime të rreme lidhur me zbritjet e çmimeve. ACCC akuzon këto supermarkete se kanë rritur përkohësisht çmimet e disa artikujve përpara se t’i ulën ato, duke i bërë ato të duken si ulje të përhershme, ndonëse shumë herë çmimi ishte i njëjtë ose më i lartë se origjinali.
Coles ka deklaruar se do të mbrohet kundër akuzave, ndërsa Woolworths ka njoftuar se do të shqyrtojë pretendimet. Të dy gjigantët e ushqimeve, të cilët përbëjnë dy të tretat e tregut australian, janë nën vëzhgim të rreptë për rritjen e çmimeve dhe praktikat anti-konkurruese.
Kryeministri Anthony Albanese e quajti sjelljen e supozuar “plotësisht të papranueshme” dhe theksoi se konsumatorët nuk meritojnë të trajtohen si budallenj. Ai përmendi gjithashtu një projektligj për një “kod sjelljeje” të premtuar më parë për supermarketet.
Gina Cass-Gottlieb, kryetarja e ACCC, theksoi se Coles dhe Woolworths kanë shpenzuar vite duke promovuar zbritje të cilat blerësit tani i perceptojnë si ulje të qëndrueshme në çmime. Megjithatë, ajo nënvizoi se shumë nga këto ulje ishin “iluzore”. Hetimi i ACCC zbuloi se Woolworths kishte mashtruar për rreth 266 produkte gjatë 20 muajve, ndërsa Coles për 245 produkte gjatë 15 muajve./UBTNews/