Me përballjen ndërmjet Prishtinës dhe Drenicës hapet xhiroja e 14-të e Superligës së Kosovës në futboll.
Ndeshja zhvillohet sot, nga ora 17:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku bardhekaltrit rikthehen pas një kohe të gjatë, për shkak të angazhimeve të Përfaqësueses së Kosovës në Ligën e Kombeve.
Prishtina e pret këtë xhiro nga pozita e lideres, me 32 pikë të grumbulluara pas 13 ndeshjesh, ndërsa Drenica renditet e teta me 12 pikë.
Të shtunën zhvillohen tri përballje të tjera. Nga ora 13:00, Malisheva, që zë vendin e dytë me 27 pikë, e pret Dukagjinin në stadiumin “Liman Gegaj”. Në të njëjtën kohë, Llapi përballet me Vushtrrinë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Xhiroja e 14-të mbyllet me dy ndeshjet e së dielës. Ballkani e pret Gjilanin në Suharekë, nga ora 13:00, ndërsa Drita përballet me Feronikelin 74, në Gjilan, nga ora 15:00.
Kampionia në fuqi, Drita, renditet e treta me 24 pikë, dy më shumë se Gjilani, që ndodhet në pozitën e katërt. Ballkani është i pesti me 19 pikë, ndërsa Dukagjini renditet i gjashti me 18 pikë.
Në pjesën e poshtme të tabelës, Feronikeli 74 zë vendin e shtatë me 15 pikë, Drenica është e teta me 12, Llapi i nënti me tetë, ndërsa Vushtrria mbetet në fund të tabelës me vetëm tri pikë.
D.L
