UBT News

Superkupa e Italisë: Interi synon rekordin, Milani kërkon lavdinë!

Finalja e 37-të e Superkupës së Italisë zhvillohet sot, ku përballen dy rivalët e përjetshëm, Inter dhe Milan. Zikaltrit e Simone Inzagit, kampionët në fuqi, u kualifikuan pas fitores 2-0 ndaj Atalantës falë dopietës së Dumfrisit. Në anën tjetër, kuqezinjtë e Serxho Konseisaos triumfuan ndaj Juventusit me një përmbysje dramatike. Milani synon të fitojë trofeun për herë të parë që nga viti 2016 dhe të arrijë kuotën e 8 trofeve, ndërsa Interi kërkon të barazojë rekordin e Juventusit me 9 fitore në këtë kompeticion.

Statistikat flasin për një rivalitet të ngushtë. Ky është derbi i dytë i sezonit, pas fitores 2-1 të Milanit në shtator. Në përballjet e kaluara në Superkupë, secila skuadër ka nga një fitore: Milani në vitin 2011 dhe Interi në vitin 2022. Nëse Milani fiton, do të arrijë dy fitore radhazi kundër Interit, diçka që nuk ka ndodhur që nga sezoni 2010-2011. Ndërkohë, Interi synon të bëhet skuadra e parë që fiton 4 finale radhazi në këtë kompeticion.

Për trajnerët, kjo finale është gjithashtu historike. Simone Inzagi mund të barazojë rekordin e Mançinit dhe Herrerës si trajneri më fitues i Interit, ndërsa Serxho Konseisao synon të bëhet trajneri i parë i Milanit që regjistron dy fitore radhazi që nga viti 2014. Me lojtarë si Dumfris dhe Pulisiç në formë të mirë, finalja pritet të jetë një spektakël i madh për tifozët e të dyja skuadrave./UBTNews/

Exit mobile version