Xhudisti kosovar Akil Gjakova ka nisur me sukses garën në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Tbilisi, duke siguruar kualifikimin në fazën tjetër të kategorisë deri në 73 kilogramë.
Në përballjen e tij të parë, Gjakova u ndesh me austriakun Samuel Gassner. Edhe pse në një moment ishte në disavantazh me “Waza-ari”, ai ruajti qetësinë dhe kontrollin gjatë gjithë luftës.
Vendimtare ishte një hedhje spektakolare, me të cilën Gjakova fitoi me “Ippon”, duke e mbyllur ndeshjen në mënyrë të fuqishme dhe duke siguruar avancimin.
Me këtë paraqitje, ai konfirmon ambiciet për medalje në këtë kampionat, duke u renditur ndër pretendentët seriozë në kategorinë e tij.
