UBT News

Supergol i Edon Zhegrovës i sjell Juventusit fitoren ndaj Chelseat

Edon Zhegrova ka shkëlqyer në ndeshjen miqësore të Juventusit ndaj Chelseat, duke realizuar një supergol që i siguroi skuadrës italiane fitoren minimale 1:0.

Takimi u zhvillua në Hong Kong, ku Juventusi po zhvillon fazën përgatitore për sezonin e ri. Reprezentuesi i Kosovës u inkuadrua në lojë në fillim të pjesës së dytë dhe la menjëherë gjurmë me paraqitjen e tij.

Momenti vendimtar erdhi në minutën e 67-të. Pas një aksioni të gjatë të ndërtuar që nga portieri dhe me një seri pasimesh, topi përfundoi te Zhegrova, i cili goditi fuqishëm me të majtën nga distanca. Goditja e tij përfundoi në këndin e portës, duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi portierit të Chelseat.

Ky ishte goli i parë i 27-vjeçarit me fanellën e Juventusit dhe, ndonëse në një ndeshje miqësore, konsiderohet një moment i rëndësishëm për besimin dhe të ardhmen e tij te skuadra bardhezi.

Zhegrova nuk kishte shënuar që nga 24 nëntori i vitit 2024, kur i kishte dhënë fitoren Lilleit me rezultat 1:0 ndaj Rennesit në kampionatin francez. Pas asaj ndeshjeje ai u përball me një periudhë të gjatë mungese për shkak të lëndimit.

Pas transferimit te Juventusi një vit më parë, sulmuesi kosovar ka treguar herë pas here cilësitë e tij, por ende nuk kishte arritur të stabilizohej në formacionin bazë dhe nuk kishte regjistruar gola apo asistime në ndeshjet zyrtare.

Në fazën përgatitore për sezonin e ri, Zhegrova kishte luajtur nga një pjesë në miqësoret ndaj Baselit dhe Nicës, ndërsa nuk ishte grumbulluar për sfidën ndaj Standard Liezhit. Ndaj Chelseat, ai më në fund demonstroi cilësinë që e karakterizon, duke realizuar një gol spektakolar që mund t’i japë një shtysë të madhe në luftën për një vend titullari te Juventusi.

D.L

Exit mobile version