UBT News

Summer Cult XII, një javë me art në kryeqytet

Pas mbarimit të edicionit të 17-të të ‘PriFest 2025″, sonte nis festivali “Summer Cult”.

Këtë herë vjen me moton “Jetoje artin jashtë kornizave”, e pritet të sjellë në skenën teatrore trupa nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bullgaria.

Një ngjarje kulturore që fokusohet kryesisht tek teatri, dhe zakonisht përfshin: Shfaqje teatrore, performanca të gjalla, takime dhe workshop-e, Atmosferë festive dhe po ashtu promovim i kulturës lokale dhe ndërkombëtare.

Për gjashtë netë radhazi, në qendrën Barabar, shfaqjet do të garojnë për çmimet e festivalit, që do të ndahen me datë 20 shtator, thuhet në njoftimin për media të Cult Club, që e organizon ngjarjen.

Edhe edicioni i 12-të, do të jetë dinamik dhe i larmishëm, me aktivitete të ndryshme, diskutime rreth shfaqjeve, trajnime me personalitete të teatrit, konferencë teatrore, stand-up comedi, lexim skenik, etj.

 “Summer Cult XII” hapet sonte me “Bouncers”, me regji të Kastriot Saqipit dhe aktorët Bleron Hevziu, Erion Fetahu, Venera Bojaj dhe Muhamed Tërtini. Shfaqja ka ritëm të shpejtë, humor të zi dhe ofron një pasqyrë satirike të jetës urbane, duke trajtuar maskilizmin, marrëdhëniet gjinore dhe identitetin.

Të martën, mbahet premiera e Leximit Skenik “Qengji i butë thith vrerë” nga Euron Kadriu më 17:00, ndërsa në orën 20:00 jepet “Detektivi dhe Nana” nga Agush Mulliqi, me Lorent Pacollin dhe Drin Berishën, një dramë me humor të zi që eksploron drejtësinë, hakmarrjen dhe plagët ndërbreznore.

Më 17 shtator mbahet diskutimi “Profil” me krijuesen Dhurata Hoti, dhe në orën 20:00 shfaqja “Psikozë 4.48” me regji të Qendresa Spahiut, një interpretim i shpërbërjes së identitetit dhe çrregullimeve mendore përmes pesë personazheve.

Të enjten, më 18 shtator, zhvillohet Konferenca Teatrore VII me temë “Teatri në Kohën e Inteligjencës Artificiale” dhe më 20:00 jepet shfaqja “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” me regji të Erina Lazit, bazuar në romanin e Ismail Kadaresë.

Të premten, më 19 shtator, mbahet trajnimi për regjisorë, aktorë e dramaturgë “Transformimi i Procesit Krijues në Epokën e Inteligjencës Artificiale”, ndërsa në mbrëmje shfaqet “Qeni i Vogël Qeshi” nga Bullgaria, me regji dhe interpretim të Ana Batevës e Sevar Ivanov.

Të shtunën, më 20 shtator, jepet “Gishti” nga Maqedonia e Veriut me regji të Refet Abazit dhe Hismet Ramadanit, ndërsa nata finale sjell Stand-Up Comedy me Valina Muqollin.

Të gjitha shfaqjet janë falas, me rezervim paraprak, dhe pas çdo performance mbahet diskutim dhe kritikë teatrore. Festivali mbyllet me ndarjen e çmimeve për shfaqjen, regjinë dhe aktorët më të mirë.

Përgatiti: A.Z. /UBT News/

Exit mobile version