UBT News

Sulmuesi i Kosovës, Ermal Krasniqi, transferohet në Poloni

Sulmuesi anësor i përfaqësueses së Kosovës, Ermal Krasniqi, është transferuar në formë huazimi te Legia Varshavë për sezonin 2025/26, me mundësi blerjeje në fund të edicionit.

Krasniqi vjen nga AC Sparta Prague, ku ka regjistruar 45 paraqitje zyrtare, përfshirë shtatë ndeshje në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve të UEFA-s. Gjatë kësaj periudhe, ai ka luajtur kundër kundërshtarëve të nivelit të lartë si Inter Milan dhe Manchester City, që më pas arritën në finalen e kompeticionit.

Para kalimit në futbollin çek, 25-vjeçari kishte spikatur në kampionatin kosovar me FK Ballkani, ku fitoi dy herë titullin kampion (2022 dhe 2023) dhe u bë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Ai iu bashkua Ballkanit në moshën 19-vjeçare dhe luajti katër sezone të suksesshme në Suharekë, përpara se të kalonte te CFR Cluj në janar të vitit 2023.

Gjatë qëndrimit në Rumani, Krasniqi kontribuoi në arritjen e vendit të dytë në kampionat dhe ndihmoi skuadrën të arrinte deri në fazën e 1/16-ave të Ligës së Konferencës së UEFA-s.

Në arenën ndërkombëtare, ai ka tetë paraqitje dhe dy gola për përfaqësuesen e Kosovës. Debutimin e tij me fanellën dardane e bëri në nëntor 2022 ndaj Ishujve Faroe, ndërsa ndeshjen e fundit e zhvilloi në miqësoren kundër Armenisë, në qershor 2025, si pjesë e kampit stërvitor të kombëtares.

Te Legia Varshavë, Krasniqi do të mbajë numrin 77, ndërsa pritet të jetë një alternativë e vlefshme për repartin ofensiv të skuadrës polake, e cila synon rikthimin në majat e futbollit vendas dhe një paraqitje sa më të mirë në arenën evropiane.

Exit mobile version