UBT News

Sulmuesi i Danimarkës kritikon UEFA-n

Sulmuesi i Danimarkës, Martin Braithwaite ka kritikuar UEFA-n, organin drejtues të futbollit evropian, që sipas tij ka detyruar lojtarët të luajnë ndeshjen kundër Finlandës të shtunën, pas sulmit kardiak që pësoi bashkëlojtari i tyre, Christian Eriksen, në minutën e 42-të të lojës.

Ndeshja e futbollit në kuadër të Kampionatit Evropian ndërmjet Danimarkës dhe Finlandës u ndërpre pasi lojtari Christian Eriksen u sëmurë në fushë. Eriksen u shtri në tokë ndërsa luante dhe atij menjëherë iu ofrua ndihma mjekësore për rreth 10 minuta dhe pastaj u transportua nga fusha.

UEFA në një prononcim tha se ndeshja rifilloi me kërkesë të lojtarëve të të dyja ekipeve, por Braithwaite deklaroi se lojtarët nuk ishin të gatshëm për ndeshje.

“Ne kishim dy opsione nga UEFA, të luajmë atë ditë ose të luajmë të nesërmen në mesditë. Asnjë nga këto opsione nuk ishte i duhuri. Ne zgjodhëm të keqën më të vogël nga të dyja. Shumica e lojtarëve nuk ishin në gjendje të mirë të luanin. Këto ishin dy opsionet”, deklaroi ai mes tjerash.

Portieri i Danimarkës, Kasper Schmeichel deklaroi se kjo ishte një përvojë e tmerrshme./UBTNews

Exit mobile version