UBT News

Mbyllet për publikun seanca në rastin Banjska

E përditësuar: Seanca gjyqësore për rastin “Banjska” pritet të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq me fillim nga ora 09:30.

Të akuzuarit përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjska të komunës së Zveçanit, ku sulmi i armatosur ndaj Policisë së Kosovës çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të tjerë të policisë.

Ndërsa dëshmitari Rade Nedelkoviq, i cili ishte roje në hotelin “Rajnska Banjska”, gjatë dëshmisë së tij  ka treguar se si katër persona e kishin sjellë ditën kritike një të plagosur në hotel. Ai ka thënë se disa prej anëtarëve të grupit janë akomoduar në hotelin ku ai ka punuar.

Të martën ka dëshmuar edhe dëshmitari Halim Behramaj i cili ka thënë se punon polic hetues në njësinë e trafikut në Mitrovicë.

“Rreth orës 2 përmes radiolidhjes një njësi kufitare ka njoftuar se në Banjskë është vendosur një barrikadë. Dy njësi kanë vazhduar menjëherë në atë drejtim, pas 2 minutave unë me kolegun Avni Shala, kemi vazhduar prapa tyre, nëse kanë nevojë për asistim. 500-600 metra pa shku në fshatin Banjskë, jemi taku me ta dhe vazhduam në drejtim të Banjskës. Kanë qenë tri vetura policore dhe pasi kemi arritur në fshatin Banjskë, ne kemi qenë 30 metra larg barrikadës(vetura jonë e treta). Jemi dalë prej veturës, policët që kanë qenë në veturën e parë kanë arritur te barrikada”, ka thënë ai.

 

10:45- Në Gjykatë do të dëgjohet dëshmitari Veljo Iliq në rastin “Banjska”, ndërkohë që seanca është mbyllur për publikun dhe mediat.

Prokurori special, Naim Abazi kërkoi që dëshmia këtij dëshmitari të jetë e mbyllur, meqë, siç theksoi ai, ajo përfshin informata të ndjeshme, përfshirë edhe ato të sigurisë kombëtare.

“Kjo seancë e dëgjimit të dëshmitarit të jetë e mbyllje për publikun për arsye se dëshmia e këtij dëshmitari është e ndjeshme, në të cilën përfshihen informata të sigurisë kombëtare, strukturave paralele në veri të vendit si dhe përfshin personazhe që janë përfshirë në ngjarjen e rëndë në fshatin Banjskë e cila ka pasur pasoja serioze kushtetuese. Meqë dëshmia e këtij dëshmitari lidhet kryesisht me rekrutimin, organizimin, pagesat dhe kontaktet me struktura të dyshuara ilegale, përfshin edhe elemente qe mund të dërgojnë në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari ilegale, për më tepër ekziston edhe rrezik real për sigurinë e dëshmitarit në rast se kjo dëshmi do të jepet në prani të mediave dhe publikut”, tha prokurori special.

Paraprakisht, avokati Ljubomir Pantoviq e kundërshtoi këtë kërkesë, duke thënë se sqarimi i prokurorisë nuk e ka bindur

“Mua ky sqarimi i prokurorisë nuk më ka bindur që pa përjashtimin e publikut do të rrezikohet identiteti apo siguria e dëshmitarit”, tha ai.

Ndërkaq, dëshmitari Veljo Iliq tha se ndjehet i stresuar duke e cekur që ai pi barna që 25 vite dhe nuk mund të qëndroj deri në fund.

Deri më tani janë dhënë disa dëshmi në këtë rast nga zyrtarë policorë për këtë sulm terrorist.

Ndryshe, Prokuroria Speciale, më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve, për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

 

Exit mobile version