UBT News

Sulmi rus lë të paktën 17 të vrarë, Zelensky thotë se mbrojtja kundërajrore do të mund të shpëtonte jetë

Rusia ka sulmuar Ukrainën me raketa balistike dhe dronë, duke lënë të paktën 17 persona të vrarë, ndërsa Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se mbrojtja kundërajrore “do të mund të shpëtonte jetë”.

Në një nga sulmet më mortore të këtij viti në Kiev dhe rajonin e kryeqytetit – i cili nisi pas mesnatës të së mërkurës – të paktën 45 persona u plagosën pasi u goditën ndërtesa banimi, një stacion hekurudhor dhe disa depo.

Ukraina, e cila u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve më shumë sisteme mbrojtëse Patriot të prodhuara në SHBA për t’u mbrojtur nga raketat balistike ruse, nuk ka raportuar për ndonjë raketë të shkatërruar gjatë sulmit të natës.

Zelensky shtoi se vonesat në pranimin e sistemeve kundër raketave balistike nga partnerët po çojnë në “humbje të tmerrshme në njerëz dhe shkatërrim”.

Presidenti deklaroi më vonë se furnizimi me sisteme mbrojtëse nga aleatët është “reduktuar ndjeshëm” këtë vit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ka goditur qendra logjistike dhe furnizimi në Kiev dhe në rajonin përreth.

“Këto qendra ishin të përfshira në ruajtjen dhe dërgimin e armëve të ndryshme e furnizimeve ushtarake, si dhe në prodhimin dhe shpërndarjen e mjetëve ajrore pa ekuipazh (dronëve)”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu, pala ruse tha se ka goditur tre anije cargo “të cilat po transportonin armë dhe pajisje ushtarake” afër portit të Detit të Zi në Odesa.

Kryetari i Komunës së Kievit, Vitali Klitschko, tha se ekziston frika se mund të ketë persona të bllokuar nën gërmadha.

Shërbimet e emergjencës së Ukrainës njoftuan se një person ka humbur jetën në qytetin e Kievit dhe të paktën 16 të tjerë janë lënduar, ndërsa në rajonin më të gjerë numërohen edhe 16 të vdekur dhe 29 të plagosur.

Zjarret po vazhdonin të mekeshin në pesë lokacione të ndryshme në të gjithë rajonin të mërkurën, duke përfshirë një sipërfaqe prej rreth 230,000 metrash katrorë, shtuan shërbimet emergjente. /BBC/

Exit mobile version