UBT News

Sulmi në Ibër-Lepenc: Vazhdon gjykimi ndaj të akuzuarve në Prishtinë

Sot, më 29 shtator, para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të dalin të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, Dragisha Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, në vazhdimin e procesit gjyqësor që lidhet me sulmin eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit.

Vëllezërit Viqentijeviq ngarkohen me veprat penale të rrezikimit të rendit kushtetues përmes shkatërrimit apo dëmtimit të instalimeve publike në ndërlidhje me kryerjen e veprës terroriste, si dhe për armëmbajtje pa leje. Përveç kësaj, Jovan Viqentijeviq akuzohet edhe për spiunazh, ndërsa Igor Dimoviq ngarkohet me armëmbajtje pa leje.

Ngjarja ka ndodhur më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurori special Bekim Kodraliu, në kanal ishte vendosur një çantë me rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT, ku i akuzuari Jovan Viqentijeviq dyshohet se kishte ndezur fitilin. Sulmi dëmtoi rëndë infrastrukturën e furnizimit me ujë dhe rrezikoi drejtpërdrejt operimin e termocentraleve të KEK-ut e prodhimin e energjisë elektrike në vend.

Ndër provat kryesore të Prokurorisë Speciale është ekzaminimi krahasues i dheut të gjetur në çizmet e sekuestruara të të akuzuarve me mostrat e marra në vendin e ngjarjes. Në këtë ekzaminim janë përfshirë edhe ekspertë të FBI-së amerikane, ku ngjashmëria e mostrave lidh vëllezërit Viqentijeviq me vendin e shpërthimit.

Në pjesën e aktakuzës që lidhet me spiunazhin, prokuroria pretendon se Jovan Viqentijeviq ka vepruar në shërbim të inteligjencës ushtarake të Serbisë. Ai dyshohet se ka grumbulluar informacione të klasifikuara, përfshirë një dokument 66-faqësh të KFOR-it, vëzhgimin e ushtarakëve amerikanë dhe fotografimin e bazës së Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Jasenovik.

Procesi gjyqësor vijon pas dhënies së fjalëve hyrëse në seancën e 9 korrikut 2026. Të gjithë të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me një vendim të formës së prerë nga gjykata.

 

Exit mobile version