UBT News

Sulmi kundër familjes myslimane në Kanada “ishte i planifikuar”

Drejtuesi i një kamionçine në Kanada, i cili u përplas për pesë këmbësorë, duke vrarë katër prej tyre, i goditi viktimat sepse ishin myslimanë, tha policia kanadeze.

“Ka prova që tregojnë se ky ishte një akt i planifikuar, i paramenduar dhe se familja u vu në shënjestër për shkak të besimit mysliman”, tha detektivi Paul Waight.

Qytetarët vendosin kurora me lule dhe ndezin qirinj në vendin ku ka ndodhur sulmi në Londër të Ontarios.

Sulmi ndodhi të dielën në qytetin e Londrës të provincës Ontario.

Një djalë i moshës nëntë vjeç – i mbijetuari i vetëm i familjes – ndodhet në spital me lëndime të rënda.

Viktimat ishin dy gra – të moshës 74 dhe 44 vjeçe – një burrë 46 vjeç dhe një vajzë 15 vjeçe.

Emrat e tyre nuk u bënë publikë, në përputhje me kërkesat e familjes.

Policia e identifikoi sulmuesin e dyshuar si Nathanial Veltman, 20 vjeç, por nuk dihet ende nëse i dyshuari ka lidhje me ndonjë grup, tha detektivi Waight.

Policia po shqyrton akuzat e mundshme për terrorizëm, tha ai, duke shtuar se besohet se vrasjet janë një krim i urrejtjes.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, shkroi në Twitter se është “tmerruar” nga lajmi.

“Unë jam tmerruar nga lajmet nga Londra, Ontario. Për të dashurit e atyre që u terrorizuan nga akti i djeshëm i urrejtjes, ne jemi këtu për ju. Ne jemi gjithashtu këtu për fëmijën që mbeti në spital – zemrat tona na drejtohen dhe ju do të jeni në mendimet tona deri të shëroheni” shkroi Trudeau.

Ai gjithashtu tha se “Islamofobia nuk ka vend në asnjë nga komunitetet tona. Kjo urrejtje është tinëzare dhe e neveritshme – dhe duhet të ndalet”.

Sulmi është më i rëndi kundër myslimanëve në Kanada qëkur gjashtë vetë u vranë në një xhami të qytetit Kuebek, në vitin 2017.

Burimi: Radio Evropa e Lirë

Exit mobile version