Qytetarët e Ukrainës po përballen me një dimër të rëndë dhe reduktime drastike të energjisë elektrike, teksa sulmet intensive ruse kanë shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës energjetike të vendit. Në kryeqytetin Kiev, disa familje po kalojnë deri në 20 orë në ditë pa rrymë, ujë dhe ngrohje.
Një nga banoret e kryeqytetit, Daryna Kulchytska, nënë e dy fëmijëve që jeton në katin e shtatë të një ndërtese, tregon se jeta e përditshme është shndërruar në një garë me kohën për të gatuar, për të punuar dhe për t’i ndihmuar fëmijët me detyrat para se të ndalet rryma dhe të ndalen pompat e ujit.
“Ditëve të fundit kemi pasur energji elektrike vetëm katër ose pesë orë, dhe jo në të njëjtën kohë. Për dy orë kemi rrymë, pastaj për tetë orë nuk kemi… Shikon jashtë dhe nganjëherë nuk sheh asgjë. Ke një qytet të madh përreth, por nuk sheh asgjë sepse nuk ka dritë”, shprehet Kulchytska.
Orari i reduktimeve të planifikuara është vendosur qysh në tetor, duke nisur më herët dhe duke zgjatur më shumë se dimrin e kaluar. Zyrtarët ukrainas paralajmërojnë se jeta për miliona qytetarë mund të bëhet e paqëndrueshme nëse furnizimi nuk mbahet të paktën katër orë në ditë.
Për të kuptuar përmasat e krizës, mjafton gjendja në njërin prej termocentraleve më të mëdha të Ukrainës, i cili është shndërruar në një grumbull hekurishtesh pas një sulmi me raketa balistike. Punëtorët e energjisë po rrezikojnë jetën çdo ditë për të riparuar dëmet, ndërsa puna e tyre ndërpritet çdo 15 deri në 30 minuta nga sirenat e sulmeve ajrore.
“Është e vështirë emocionalisht, sepse ne tashmë e kishim riparuar këtë vend, e vumë sërish në punë, dhe tani ndodhi përsëri. Dhemb, por ne vazhdojmë të punojmë”, deklaroi Vadym Bobyr, udhëheqës i ekipit të sanimit në termocentral.
Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i kompanisë më të madhe private të energjisë në Ukrainë (DTEK), Maxim Timchenko, ka paralajmëruar se shkalla dhe fuqia e sulmeve ruse është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, duke e vënë rrjetin e degraduar nën presion të jashtëzakonshëm. Sipas tij, për shkak të alarmeve të vazhdueshme ku punëtorët arrijnë të punojnë vetëm një ose dy orë produktive në ditë, rindërtimi i termocentralit të dëmtuar do të zgjasë të paktën deri në verën e ardhshme. /BBC/
