UBT News

Sulmet e Iranit, Konjufca: Kosova krah Emirateve të Bashkuara

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan.

Gjatë këtij komunikimi, fokusi kryesor ishte te zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme, ku Kosova ka mbajtur një qëndrim të prerë ndaj akteve të fundit agresive.

Në emër të Republikës së Kosovës, ministri Konjufca ka dënuar fuqishëm sulmet e Iranit ndaj shteteve partnere në rajon, duke përfshirë këtu edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas njoftimit zyrtar të MPJD-së, këto sulme vlerësohen si cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë dhe stabilitetit rajonal, ndërsa Konjufca ka shprehur solidaritetin e plotë të Kosovës me këtë shtet mik në përballjen me këto kërcënime.

Përveç zhvillimeve gjeopolitike, në bisedë u vlerësua lart edhe marrëdhënia dypalëshe mes dy vendeve.

Konjufca ka falënderuar Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan për mbështetjen e vazhdueshme që Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë Kosovës përgjatë procesit të shtetndërtimit dhe zhvillimit ekonomik ndër vite.

Biseda u mbyll me një ftesë zyrtare për ministrin Konjufca që të vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe, ftesë të cilën ai e ka mirëpritur.

 

Exit mobile version