Pavarësisht pretendimeve të presidentit Trump për bisedime paqeje, sulmet amerikano-izraelite po vazhdojnë të godasin Iranin. Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në Teheran dhe qytete të tjera, ndërkohë që Irani ka mohuar të ketë zhvilluar bisedime me SHBA-në për t’i dhënë fund luftës.
Sulmet e përbashkëta kanë goditur disa rajone të Iranit pa asnjë shenjë de-eskalimi, edhe pse presidenti Donald Trump deklaroi të martën se Washingtoni është në bisedime me Teheranin.
Gjatë natës të së martës, shpërthime masive u raportuan në kryeqytetin iranian, si dhe në qytetet Tabriz, Isfahan dhe Karaj. Mediat iraniane raportuan se goditjet kishin si shënjestër dy objekte të gazit dhe një tubacion, vetëm pak orë pasi Trump kishte shtyrë sulmet e planifikuara në infrastrukturën energjetike.
Agjencia e lajmeve “Fars” njoftoi se si pjesë e sulmeve të vazhdueshme nga armiku zionist dhe amerikan, janë goditur ndërtesa e administratës së gazit dhe stacioni i rregullimit të presionit në Isfahan.
Këto objekte në Iranin qendror u dëmtuan pjesërisht, ndërsa një tjetër sulm goditi tubacionin e gazit të termocentralit Khorramshahr në jugperëndim të vendit, pranë kufirit me Irakun.
Përveç dëmeve materiale, mediat lokale raportuan se një profesor i shquar i universitetit të shkencave në Teheran u vra së bashku me dy fëmijët e tij gjatë një sulmi në banesën e tyre në veri të kryeqytetit.
Viktima u identifikua si Saeed Shamaghdari, i cili ligjëronte në departamentin e inxhinierisë në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë. Izraeli ka shënjestruar edhe më parë akademikë iranianë, duke i akuzuar për lidhje me zhvillimin e armatimit.
Sipas kreut të shërbimit të urgjencës në Iran, Jafar Miadfar, 208 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, ku 168 prej tyre humbën jetën vetëm nga goditja me raketa amerikane në shkollën e vajzave në qytetin Minab.
Grupet për të drejtat e njeriut po kërkojnë që sulmi në Minab të hëtohet si krim lufte, ndërkohë që qeveria iraniane bën të ditur se numri total i civilëve të vrarë deri më tani ka kaluar shifrën 1,500.
