UBT News

Sulme me raketa në aeroportin e Riadit: Tre të vrarë, pezullohen fluturimet

Të paktën tre qytetarë sauditë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e dy sulmeve në aeroportin ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në kryeqytetin saudit, Riad, ka njoftuar autoriteti i aviacionit civil të mbretërisë.

Sipas raportimeve, sulmi i parë kishte në shënjestër objektet e aeroportit, ndërsa i dyti goditi një aeroplan të linjës ajrore “Saudia”. Burime nga aeroporti bëjnë të ditur se mbetjet e raketave të kapura nga sistemi mbrojtës kanë rënë mbi njërin nga terminalet. Në rrjetet sociale janë publikuar pamje të një avioni Airbus A320 duke u djegur në pistë, i cili sipas raportimeve të medieve ishte i parkuar dhe pa pasagjerë.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve dhe situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, kompania ajrore “Lufthansa” ka njoftuar pezullimin e të gjitha fluturimeve drejt Riadit deri më 16 tetor.

Përgjegjësinë për sulmet dyshohet se e mbajnë kryengritësit Huthi të mbështetur nga Irani, të cilët së fundmi kanë paralajmëruar se objektet e naftës dhe infrastruktura strategjike në Arabinë Saudite mund të jenë shënjestra të ardhshme të goditjeve të tyre. /Reuters/

Exit mobile version