Në Bosanska Krupa, në perëndim të Bosnjës dhe Hercegovinës, ndodhi një incident i rëndë ku një oficer policie u vra dhe një tjetër u plagos rëndë gjatë një sulmi ndaj një stacioni policor mbrëmjen e së enjtes.
Ministria e Punëve të Brendshme e kantonit Una-Sana konfirmoi ngjarjen, duke e cilësuar si një akt kriminal të natyrës terroriste. Autori i sulmit, një i mitur, është arrestuar, njofton UBTnews.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Adnan Beganoviq, njoftoi më 25 tetor se hetimet e kryera nga Zyra e Prokurorit të kantonit janë përmbyllur, por nuk dha informacione të detajuara. Polici i plagosur, Avdo Hasanoviq, iu nënshtrua një operacioni dhe gjendja e tij është stabile. Ndërkaq, polici i rënë në krye të detyrës është identifikuar si Ozren Maran.
Pas këtij sulmi, sindikata e policisë në kantonin Una-Sana dënoi ashpër ngjarjen, duke kërkuar rritjen e masave të sigurisë për zyrtarët policorë dhe ndjekjen penale të përgjegjësve. “Sulmi ndaj zyrtarëve policorë është sulm ndaj shtetit,” deklaroi sindikata.
Në përgjigje, Ministria e Punëve të Brendshme e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës ka shtuar masat e sigurisë në të gjithë vendin. Ramo Isak, një përfaqësues i kësaj ministrie, theksoi se për të mos rrezikuar hetimet, detaje të tjera nuk mund të bëhen publike për momentin, ndërkohë që po kryhen bastisje në disa lokacione.
Ngjarje të tilla nuk janë të panjohura në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në të kaluarën, kanë ndodhur disa sulme të ngjashme ndaj policisë, përfshirë një sulm në Bugojno në 2010 dhe një tjetër në Zvornik në 2015./UBTnews/