Liqeni i Batllavës ishte të dielën qendër e triatlonit, duke mirëpritur garën ndërkombëtare “Kosova Sprint Triathlon 2026”, ku morën pjesë triatletë nga Kosova dhe vende të tjera.
Gara u zhvillua në disiplinën sprint, që përfshinte 750 metra not, 20 kilometra çiklizëm dhe 5 kilometra vrapim.
Triatlonisti kosovar Albion Ymeri regjistroi një sukses të rëndësishëm, duke fituar medaljen e argjendtë në konkurrencën ndërkombëtare të meshkujve.
Paralelisht me garën ndërkombëtare u organizua edhe Kampionati i Kosovës në Sprint Triathlon për kategoritë seniorë dhe juniorë, ku sportistët vendas garuan për titujt kampionalë.
Në ceremoninë e ndarjes së medaljeve morën pjesë presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, dhe nënkryetari Milaim Kelmendi.
Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzoi Federatën e Triathlonit të Kosovës për organizimin e suksesshëm të garës, si dhe të gjithë sportistët për paraqitjet dhe rezultatet e arritura.
D.L
